Mustafi: Kërkesa për një Asociacionin të shqiptarëve në Serbi mbetet në përgjegjësinë e krerëve komunal të Preshevës dhe Bujanocit

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ragmi Mustafi, ka treguar se ekziston një vendim nga një organ jo formal i Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptarë në Serbi.

Mustafi në një intervistë për Dukagjinin ka theksuar se një kërkesë e tillë ka mbetur në përgjegjësinë e krerëve komunal të Preshevës dhe Bujanocit.

“…mbetet në përgjegjësinë e krerëve komunal të Preshevës dhe Bujanocit për të ndërmarr veprimet e nevojshme procedurale e themelimit në mundësinë e implementimit të masave reciproke”, ka thënë Mustafi.

Më tej ai ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë mbi parimin e reciprocitetin dhe gjithë përfshirjes.

“Marrëveshje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet mbi parimin fondamental të marrëdhënieve ndërkombëtare reciprocitetin dhe gjithë përfshirjes”, ka sugjeruar Mustafi.

Intervista e plotë  më Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ragmi Mustafi.

Sa jeni të kënaqur me kompetencat juaja edhe sa jeni duke arritur t’i adresoni kërkesat e komunitetit që përfaqësoni?

Këshillat Kombëtare të Pakicave nacionale edhe pse është derivat i Konventës kornizë për Drejtat e Pakicave, me ligjin përkatës nuk kanë kompetenca. Me plotësimin dhe ndryshimet ligjore nga 2018 ka vetëm autorizime publike për arsim, kulturë, informim, përdorim të gjuhës dhe shkrimit të pakicës si dhe çështjet që janë me interes për pakicën përkatëse.

Këshilli Kombëtar Shqiptar po, ka adresuar të gjitha çështjet e shqiptarëve të Luginës në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare dhe bashkërendim me Qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pse komuniteti juaj nuk është duke kërkuar Asociacion sikurse komuniteti serb në Kosovë?

Ekziston një vendim i një organi jo formal, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për Asociacion. Megjithatë, mbetet në përgjegjësinë e krerëve komunal të Preshevës dhe Bujanocit për të ndërmarr veprimet e nevojshme procedurale e themelimit në mundësinë e implementimit të masave reciproke.

Cilat janë sugjerimet tuaj për shtetin e Kosovës?

Marrëveshje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet mbi parimin fondamental të marrëdhënieve ndërkombëtare reciprocitetin dhe gjithë përfshirjes./Dukagjini