Mustafa i thotë eurodeputetit se koalicioni me VV-në është afër përmbylljes

Kryesia e LDK-së gjatë ditës së sotme kanë pritur në takim kryetarin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.

Sipas një komunikate për media në këtë takim kanë qenë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i shoqëruar nga nënkryetarët Agim Veliu dhe Vjosa Osmani dhe anëtarët e Kryesisë Besian Mustafa dhe Vlora Dumoshi.

Ndërsa, kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weberi ka qenë i shoqëruar nga Përfaqësuesja e Posaçme të BE-së dhe Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Andrey Kovatchev, Deputet në Parlamentin Evropian, Nina Tavcar, Këshilltare për Politika e Weber dhe Riccardo Serri, Zëvendësshef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas një komunikate për media, lideri i kësaj partie, Isa Mustafa e ka njoftuar Weberin për ecurinë e bashkëbisedimeve me LVV-në drejt formimit të koalicionit bashkëqeverisë.

“Kemi arritur të bashkërendojmë të gjitha parimet e programit bashkëqeverisës dhe tanimë kemi hyrë në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes politike”, ka thënë Mustafa

Ndërsa, Weber u shpreh i lumtur që ka vizituar Kosovën sot.

“ Unë jam këtu për të zhvilluar marrëdhëniet tona të mira dhe për të nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit tonë në EPP. EPP-ja mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit dhe partneritetit tonë afatgjatë për qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Evropa nuk mund të injorojë rëndësinë strategjike dhe historike të Ballkanit Perëndimor për kontinentin tonë”, ka thënë ai.

Mustafa po ashtu e uroi Weber për rezultatet e Kongresit të EPP-së muajin e kaluar dhe e falënderoi për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë EPP-ja dhe CDU-ja LDK-së dhe Gjermania Kosovës.

“Në emër të LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës ju falënderoj ju z. Weber, partinë tuaj CDU-në dhe familjen tonë politike EPP-në për përkrahjen që i keni dhënë Kosovës në proceset euro-integruese dhe presim përkrahjen tuaj të mëtutjeshme në këto procese, veçanërisht në liberalizimin e vizave sa më parë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka muaj që kanë filluar bisedimet për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Mirëpo, nuk po arrijnë dot që të finalizojnë koalicionin e përbashkët qeverisës, ndonëse nënshkrimi i saj u paralajmërua të ndodhë në fillim të kësaj jave.

Në fund të javës së kaluar, partitë thanë se e kanë harmonizuar 100% programin qeverisës, ndërsa ndarja e posteve tani po paraqitet pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.

VV – LDK, nga ‘harmonizimi’ te kushtëzimet

www.kallxo.com.