VV - LDK, nga 'harmonizimi' te kushtëzimet

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po arrijnë dot që të finalizojnë koalicionin e përbashkët qeverisës, ndonëse nënshkrimi i saj u paralajmërua të ndodhë në fillim të kësaj jave.

Në fund të javës së kaluar, partitë thanë se e kanë harmonizuar 100% programin qeverisës ndërsa ndarja e posteve tani po paraqitet pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes.

Pas takimit disa orësh të së hënës mes kryetarëve të dy partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nga i cili nuk u vendos firma në ndonjë dokument koalicioni, në publik u shpërfaqën pakënaqësitë nga mosarritja e marrëveshjes përfundimtare.

Zyrtarë të VV-së dhe LDK-së janë deklaruar në debate televizive dhe rrjete sociale duke përmendur kushtëzime dhe dyshime për propagandë politike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar zyrtarë nga të dyja partitë për takimin e radhës në nivel të kryetarëve, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Por deputeti i sapozgjedhur i VV-së, Glauk Konjufca, mbrëmjen e së martës ka thënë se LDK-ja e ka kushtëzuar marrëveshjen me postin e Presidentit të Kosovës, si dhe u shpreh i zhgënjyer me fazën e dytë të negociatave.

“Marrëveshja nuk u finalizua për arsye që në njëfarë mënyrë, Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi këtë marrëveshje për Qeverinë dhe për Kuvendin edhe me një pozitë tjetër, që është pozita e Presidentit të Republikës së Kosovë”, është shprehur ai në emisionin ‘Pressing” në T7.

Konjufca ka theksuar se nuk e kanë pritur këtë kushtëzim nga LDK-ja.

“Pra në njëfarë mënyrë nuk e prisnim këtë gjë sepse siç e dini ju këto zgjedhje kanë qenë parlamentare dhe në to pas konstituimit të Kuvendit del qeveria, prej një mazhorance e cila arrin të themelohet varësisht rezultatit çka ndodhë në zgjedhje”, tha ai.

Por, sipas Konjufcës pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur.

“Me më shumë vota zgjidhet presidenti, por mund të ndodhë që në mes të mandatit të bie qeveria të shkohet në zgjedhje të reja vetëm me 61 vota por jo edhe presidenti i cili do të mbetet aty”, theksoi deputeti i VV-së.

Më pas nuk munguan as reagimet e LDK-së, lidhur me takimet mes dy partive.

Deputeti i sapozgjedhur LDK-së,  Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se deklaratat e pamatura e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa.

“Marrëveshjet e mosmarrëveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive. Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi”, ka shkruar ai në Facebook.

“Propagandë për propagandë jemi ngopur mjaft. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”, thuhet në publikimin e Abdixhikut.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë për BIRN-in se posti i presidentit është pengesa kryesore për koalicion, pasi sipas tij kjo po shkakton një çekuilibër midis partnerëve në ndarjen e qeverisë.

“Vetëvendosje, si partia më e votuar ka një avantazh dhe duket se ata po kërkojnë kompensim me poste të tjera, në mënyrë që LDK të ketë presidencën kur të skadojë mandati i [Hashim] Thaçit”, tha Spahiu.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.