Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishet koalicioni i LVV-së dhe PDK-së në Gjilan, Haziri thotë se LDK do vazhdojë të jetë në opozitë

Nnënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas prishjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike në Gjilan tha se LDK-ja do vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Në një konferencë pë media ai theksoi se 14 këshilltarët e LDK-së në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale.

“Ne do të vazhdojmë të jemi opozitë, ndoshta më e madhe, ndoshta më e vogël, kjo do të varet nga vullneti i partive dhe përfaqësuesve të partive politike në Kuvend, por si LDK nuk do të shkaktojmë asgjë tjetër, pos rikonfigurim të natyrshëm dhe do të punojmë për një rritje të bllokut opozitar. Por, ajo që është e sigurt, 14 këshilltarë të LDK-së do të mbeten në opozitë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale”- tha Haziri.

“Javën tjetër grupi i këshilltarëve do të bëjë vlerësimet e analizat e krejtë gjendjes në Kuvendin Komunal, gjetjeve që i kemi në ekzekutiv dhe do të dalim me vlerësime të reja”- shtoi ai.

Haziri tha se pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i kishte takuar LDK-së ne vota të qytetarëve por që sipas tij, kjo u pamundësuar për shkak të kolaicionit.

“Ne jemi partia më e madhe opozitare në komunë, përkundër që na ka taku pozicioni i kryesuesit me vullnet qytetar, ata na kanë zgjedhë me vota që të kryesojmë Kuvendin Komunal. Kjo u bë e pamundur për shkak të koalicionit që tashmë kanë kthy gjendjen në pikën 0 dhe natyrisht ne e kemi ruajtur koalicionin opozitar ku LDK, Vatra dhe AAK-ja janë së bashku si parti opozitare”- deklaroi nënkryetari i LDK-së.

Ai shtoi se gatishmëria e LDK-së për bashkëpunim, siç tha ai, për të ndikuar në politikat zhvillimore të Gjilanit, asnjëherë nuk ka munguar, teksa u shpreh se nuk lejojnë shkeljen e parimit të gardianit të demokracisë, e të ligjshmërisë në komunën e Gjilanit.

Ditë më parë, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni njoftoi se koalicioni qeverisës LVV dhe PDK në Gjilan, ka marrë fund.

“Janë tri vendime, pas të cilave, të ngjashme presim të vijnë ende për votim, që po bëhen shkaktarë për ndërprerjen e bashkëpunimit. Vendimet e konstatuara si të kundërligjshme, si dhe që favorizojnë individë e grupe të interesit janë tema që nuk diskutohen, por anulohen, pa alternativë”- ka thënë Hyseni.

“Ne vazhdojmë të jemi të prerë në qëndrimet dhe parimet tona. Pavarësisht pengesave dhe barrierave të shumta nga shumë akterë, askush dhe asgjë nuk devijon misionin tonë”- përfundon ai.

Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje (LVV ) në janar të 2022-tës kishte arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).