Musliu: Nuk duhet të ketë panik për sigurinë kombëtare në rastin e Deçanit

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu Ganimete Musliu, në një konferencë për media pas mbledhjes së komisionit, i cili u mbajt me dyer të mbyllura tha se AKI është në krye të detyrës për të gjetur shkakun e rastit të Deçanit.

Musliu tutje ka thënë se rastin e Deçanit nuk mund të quhet helmim për shkak se ende nuk është vërtetuar nga IKShPK.

“Kemi qenë të shqetësuar e preokupuar me këtë çështje dhe kemi dashtë që qytetarët t’i sigurojmë sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe kompetencave që ka AKI në këtë drejtim. Nuk mund ta quajmë as helmim sepse nuk kemi analiza të vërtetuara se çka ka ndodh atje. Këto përfundime i nxjerrin institutet shëndetësore që ta dimë a është helmim, epidemi apo ndonjë problem tjetër që mund të jetë”, tha Musliu.

Po ashtu, ajo shtoi se nuk duhet të ketë panik sa i përket sigurisë kombëtare.

“Sa u përket pyetjeve tona drejtuar drejtorit të AKI-së, ishin te fokusuara në sigurinë nacionale. Mund të them me bindje të plotë atë se çka na tha drejtori se qytetarët në Deçanit nuk duhet të kenë panik për sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive që ka AKI. AKI është në krye të detyrës me kapacitete të plota, në Deçan po vëzhgon çdo lëvizje atje dhe tani për tani janë këto gjëra që ne mund t’i themi se aq na tha edhe drejtori në Komision. Nuk janë të dhëna përfundimtare po preliminare për arsyeje që nuk e dimë saktë se çka ka ndodhur. Duhet të presim deri sa ta dimë saktë se çka ka ndodh me shëndetin e qytetarëve atje”, përfundoi ajo.