Murati: Është në dorën e komunave të vendosin për faljen e një pjese të tatimit në pronë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se është në dorë të komunave nëse duan ta falin një pjesë të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç mundësohet nga Ligji i ndryshuar për tatimin në pronë.

“Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo” – ka shkruat Murati sot në Facebook.

Graçanica, Obiliqi dhe Drenasi, siç njofton Murati, janë komunat për të cilat është raportuar javën e kaluar se kanë miratuar një falje të tillë.

“Deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022” – ka shtuar ministri.

Duke marrë parasysh këtë performancë, që ministri Murati e cilëson të mirë, ai ka inkurajuar edhe komunat e tjera që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’ua lehtësuar barrën qytetarëve.

Afati ligjor për ta bërë këtë, sipas ministrit është deri para datës 15 shtator 2023.

Ndryshimi i Ligjit për pronën e paluajtshme, ishte miratuar më 27 korrik, në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.

Përmes tij mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij Ligji po ashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.

“Kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025”- janë disa çështje tjera që mundëson ky Ligj.

Në seancë të jashtëzakonshne, të pranishëm në votimin e kësaj pike kanë qenë deputetët e Grupit Parlamentar të LVV-së, ndërsa partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në seancë.

Pasi që Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte deklaruar se këtë ligj do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, Murati kishte reaguar duke thënë se një veprim i tillë është absurd dhe hipokrizi.