Mungesa e lejes për ndërtimin e xhamisë shkakton tensione në Shkabaj e përplasje mes banorëve dhe Policisë

Ndonëse nuk kanë leje për ndërtim, kjo nuk i ka ndaluar disa banorë të cilët kanë mbledhur para në mënyrë vullnetare dhe kanë nisur ndërtimin e një xhamie në fshatin Shkabaj të Prishtinës.

Kësaj iniciative është duke i qëndruar mbrapa edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa problemi thellohet kur ekipi i KALLXO.com evidenton që për ndërtimin e kësaj xhamie ka edhe banorë kundër.

Emin Baholli, banor i cili jeton përballë objektit tashmë të nisur të xhamisë në Shkabaj, në një bisedë për KALLXO.com tregon se ndërtimi ka nisur pa leje, ndërsa vendi ishte i destinuar për park për nxënësit e fëmijët.

“Po kundërshtohet (ndërtimi) për shkak që Komuna e ka ndërtu si park, me mjete jo të komunës po kontributin e bashkëfshatarëve. E kemi kërku që disa vite me rregullu si park dhe Komuna vitin e kaluar e ka rregulluar. Bashkësia Islame më 31.12.2023 në ora 05:30 të mëngjesit ka ardhë me gërmu këtu. I kam njoftu Inspektoratin, kryetarin, nënkryetarin e Komunës, të gjitha drejtoritë, ata kanë ardhë i kanë vendosë shiritat. Ata i ngjitshin, këta i heqshin, 2 javë punojshin, 1 javë nuk punojshin”- tha Baholli për KALLXO.com.

Ai thekson se nuk ka asnjë kundërshtim për ndërtimin e objektit fetar në të cilën pretendohen të kryhen ritualet fetare nga komuniteti në Shkabaj por që hapësira është destinuar për diçka tjetër.

“Unë xhaminë nuk e kundërshtoj, unë e kundërshtoj vendin sepse na me vjet e kemi kërku, 15 vjet është kërku për xhami, unë kam qenë anëtar në bashkësi lokale dhe e kemi kërku që 15 vjet, na kemi thanë xhami po, por jo afër shkollës dhe në park”- shton tutje Baholli.

Për KALLXO.com, Baholli pretendon se objekti kishte nisur të ndërtohej në fund të dhjetorit të vitit të kaluar në orët e hershme të mëngjesit.

“Unë e kam vendimin, i kam kërku dokumentet zyrtare, m’i ka dërgu me email dhe aty shkruan që është vendim për ndërprerje të punës, edhe për rrënim. Tri ditë ka qenë afati por Komuna ka heshtë, nuk është rrënu deri më 23 apo 24.05.2024 kanë ardh me rrënu, kanë dalë me gra, me fëmijë, dhe policia nuk ka dashtë me ndërhy se nuk kanë dashtë me i lëndu dhe e kanë ndërpre”- thotë tutje Baholli.

Ai shton se kishte njoftuar menjëherë edhe organet komunale për këtë ndërtim, raportim ky që më pas rezultoi me një vendim për ndalim të punimeve dhe rrënim nga ana e Komunës së Prishtinës.

Në bazë të një vendimi që Baholli i ka prezantuar ekipit të KALLXO.com, më 07.01.2024 Drejtoria e Inspeksionit, sektori i ndërtimit, të Komunës së Prishtinës kishte marrë aktvendim për rrënimin e objektit që kishte nisur dhe ishte obliguar Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Bahri Sejdiu në cilësinë e investitorit dhe përfaqësuesit të komunitetit të Bashkësisë Islame në Shkabaj që ta kthenin hapësirën në gjendjen e mëparshme.

Ndonëse Baholli e kundërshton ndërtimin, të shumtë janë që e kundërshtojnë rrënimin.

Azem Haxholli, i cili është edhe pjesë e grupit mbikëqyrës të ndërtimit të xhamisë në Shkabaj, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se banorët e duan ndërtimin e këtij objekti fetar.

“Ai po pretendon, mendimi jonë dhe banorët siç po thonë atij po i pengon ezani, ezani nuk pengon bre, nuk e di kujt i pengon. Qëllimin e ka me uzurpu pronën, shkoni verifikoni nëse nuk e ka gjysmën e shpisë… e ka në tokë të huaj ai zotnia që është ankues”- thotë Haxholli.

Haxholli thotë se Baholli ka probleme ta pranojë ndërtimin e xhamisë jo pse është cenuar pjesa të cilin ai pretendon se ishte park.

“Absolut është shpifje çka thotë. Ai është vetë ankuesi, nuk ka të tjerë ankues. Krejt fshati janë pro xhamisë, ai është vetëm një kundër xhamisë. Nuk është kundër për shkak të parkut, këtu nuk veç këqyrne a çon ky mall të parkut, veç këqyrne 13 shporta të bërllokut në 20 metra katrorë. Nuk janë ato pajisje për fëmijë, ato janë pajisje të fitnesit, kjo pronë ka qenë e AKP-së, nuk e di pse i pengon atij”- shton Haxholli.

Vetë Haxholli pranon se ndërtimin janë duke e kryer pa pasur leje paraprake.

“Nuk kemi marrë leje, që 15 vite ne banorët dhe imami Bahri Sejdiu kemi bërë kërkesë në Komunë. Nuk ka kryetar i komunës së Prishtinës që nuk na ka premtu ndërtimin”- thotë Haxholli.

Në orët e pasdites nisi edhe një tension.

Derisa punëtorët ishin duke vazhduar punimet për ndërtimin e kësaj xhamie, rreth orës 13:10 u panë ekipe të shumta të Policisë së rendit dhe atyre të Reagimit të Shpejtë.

Ata kishin ardhur për të asistuar Drejtorinë e Inspeksionit, konkretisht ata të ndërtimit, pasi që ishte marrë vendimi për rrënim.

Haxholli për disa minuta kërcënoi Policinë dhe inspektorët se në rast se nis rrënimi ai do ta lëndonte vetveten duke kërcyer nga objekti.

Pra Haxholli nuk pranoi në asnjë moment të negocionte me zyrtarët policorë e as inspektorët për t’u larguar nga objekti dhe të niste rrënimi.

Rreth orës 13:30 pati edhe ngritje të tensioneve. Në një moment banorët nisën që të përplaseshin me Policinë pasi tentuan që të hynin brenda objektit. Në këtë rast u përdor edhe spreji, i cili shpërndau masën e banorëve që u nisën drejt Policisë.

Pas këtij momenti banorët nisën të kritikojnë organet e rendit për këtë veprim.

Në vendin e ngjarjes u pa edhe Bahri Sejdiu, imam dhe përfaqësues i komunitetit në këtë çështje.

“Nëse Komuna premton që na jep lejen për ndërtimin që e kemi kërku që 15 vjet, atëherë ne i ndërprejmë punimet deri në marrëveshjen tjetër”- thotë Sejdiu.

“Vendimi i fundit ka qenë me rrënu dhe është rrënu pjesa që kanë kërku me marrëveshje. Unë edhe jam dënuar me gjobë 500 euro, u thash atyre unë këtë e kryej dhe ju thash bëjeni shpronësimin dhe ne nuk punojmë deri sa të na thotë kuvendi kemi me vazhdu me leje sepse nuk e kemi për ngut me kry brenda muajit sepse kemi pritë që 15 vite”- tha Sejdiu.

Një banor tjetër, Arben Haxholli që u prek edhe nga spreji që u shpërnda nga Policia, thotë se në fshatin ku jeton të gjitha ndërtimet institucionale janë pa leje.

“Po tentohet se menojnë që është but me ardhë vëllai-vëllait me ia rrëzu objektin, po ka more punë më të mençur Komuna. 100 punë më të mençura kanë. Qe këqyre këtu krejt objektet çka janë, janë pa leje dhe vjen kërkon leje këtu, po gjynah është kjo. Ambulanta është pa leje, shkolla pa leje”- thotë Arben Haxholli.

KALLXO.com ka kërkuar edhe nga Komuna e Prishtinës përgjigje në lidhje me këtë ngjarje.

Në një përgjigje ata kanë thënë se nuk kanë dhënë leje për ndërtimin e objektit fetar.

Vendi në të cilin po tentohet të ndërtohet xhamia nuk është pronë e Komunës së Prishtinës por e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

​​​​”Inspektorati i Kryeqytetit sipas kërkesës së AKP-së (pronë e së cilës është toka në të cilën ka filluar ndërtimi), ankesave të shumta të banorëve drejtuar Komunës së Prishtinës dhe në bazë të autorizimeve ligjore, pas paralajmërimeve të shumta, sot ka vazhduar ekzekutimin e vendimit për kthim në gjendjen e mëparshme të pronës në fjalë” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.

Ndonëse vendimi nuk përfundoi pasi banorët rezistuan dhe njësitet e Policisë, makineritë për rrënim dhe inspektorët u larguan nga vendi i ngjarjes e banorët iu gëzuan këtij veprimi.

Në një dokument të cilin ka siguruar KALLXO.com, e që është nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që i ka dërguar Komunës së Prishtinës thuhet se ndërtimi duhet të rrënohet.

“Me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive negative dhe të kundërligjshme është e nevojshme që ky ndërtim të ndërpritet dhe gjendja të kthehet ashtu siç ka qenë para fillimit të ndërtimit. Po ashtu kërkojmë nga Inspeksioni i Komunës së Prishtinës të ndërmarrë të gjitha masat që parashihen me ligjin dhe parandalimin e ndërtimeve ilegale në pronat shtetërore”- thuhet në njoftimin e AKP-së, i cili mban datën 28.03.2024.

Në të njëjtin dokument përmendet edhe fakti se AKP kishte pranuar aktvendimin e ndërtimit të punimeve nga Drejtoria e Inspeksionit më 03.01.2024 por përkundër këtij vendimi AKP kishte dalë në terren dhe kishte vërejtur se ndërtimet ishin duke vazhduar.