Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama takon presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan | Foto: Edi Rama/Facebook

Erdogan të enjten përuron Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Shqipërinë të enjten, më 10.10.2024, dhe bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, do të përurojnë Xhaminë e Namasgjazë, siç njihet Xhamia e Madhe e Tiranës.

Njoftimi është bërë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i cili e ka konsideruar këtë përurim si “ëndërr të bërë realitet”.

Njoftimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë erdhi pas lajmeve që u përcollën në media se Ministria e Çështjeve Fetare në Turqi e ka caktuar tashmë imamin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Sipas mediave, vetë imami i quajtur Enes Bastur, e ka shpërndarë lajmin në rrjetet sociale, por më pas e ka fshirë atë.

Interesimit të Radio Evropa e Lirë për këtë çështje, Zyra e shtypit pranë Komunitetit Mysliman Shqiptar, iu përgjigj duke deklaruar se “nuk ka asgjë zyrtare”.

Më pas, KMSH-ja shpërndau njoftimin për mediat, ku pranon se xhamia më e madhe në vend, nuk do të administrohet nga ky institucion fetar, por “nga pala tjetër”.

“Presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në ceremoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë, gjithashtu, edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”, thuhet në njoftimin e KMSH-së, duke lënë të kuptohet që xhamia do të administrohet nga Turqia.

Përurimi do të bëhet të enjten, 10.10.2024, në orën 10:00.

Xhamia e Namazgjasë ndodhet pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Katedrales katolike ‘Shën Pali”, si dhe përballë Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ndërtimi i saj nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk Erdogan.

Ai pati deklaruar në atë kohë se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.

Punimet u tha se do të përfundonin për tre vjet, por u deshën rreth nëntë vjet që xhamia të përurohet.

Organizata FETO

Turqia i referohet me akronimin FETO, lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen.

Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

Çfarë përfshin Xhamia?

Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë, ndërsa së bashku me hapësirat e jashtme, rreth 10.000 besimtarë do të mund të falin namazin.

Ndërtimi i xhamisë është financuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, dhe kap vlerën e rreth 30 milionë eurove.

Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa dhe salla e konferencave, si dhe Muzeu i Bashkëjetesës.

Komuniteti Mysliman Shqiptar thekson se xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vend për falje, por një kompleks multifunksional, që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

Vizitat e krerëve të Turqisë në Tiranë, janë shoqëruar gjithnjë me thirrjen për të “pastruar mbetjet e organizatës FETO”.

Jo zyrtarisht është raportuar se edhe përurimi i xhamisë së Namazgjasë ka mbetur pezull pikërisht për shkak të pretendimeve të Turqisë se anëtarë të FETO-s janë pjesë e drejtimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Në njoftimin e këtij institucioni vihet re se asnjë prej drejtuesve të saj nuk do të jetë pjesë e ceremonisë, por KMSH-ja do të përfaqësohet me myftiun e Tiranës.

Dy vjet më parë, Erdogan paralajmëroi se kjo çështje do të ishte përcaktuese në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në shkurt të këtij viti, Erdogan gjatë një vizite të kryeministrit Rama në Turqi, tha se kjo organizatë “vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona”.

Marrëdhëniet Shqipëri – Turqi

Në janar të vitit 2021, Shqipëria dhe Turqia kanë firmosur Deklaratën e Partneritetit Strategjik.

Marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve, shtrihen në disa fusha si teknologjia, transporti, energjia, mbrojtja, shëndetësia, turizmi, arsimi, mjedisi si dhe kultura.

Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.

Në mars të këtij viti ushtria e Shqipërisë pranoi tre dronë të prodhimit turk Bayraktar.

Së fundmi, Shqipëria po përpiqet të rikthejë në funksionim industrinë e vjetër ushtarake.

Autoritetet kanë thënë se investitorë dhe kompani të huaja, që synojnë prodhimin e armëve dhe municioneve, kanë treguar interesim, ndërsa Shqipëria synon të jetë partnere si aksionare në biznes dhe jo thjesht t’i japë ato me koncesion./REL