Ministria e Financave

Mundësohet aplikimi për shtesat për fëmijë në raste të veçanta

Ministria e Financave ka njoftuar se është bërë i mundur aplikimi për të përfituar shtesa për fëmijët që janë në ‘raste të veçanta’.

Sipas ministrisw, ‘raste të veçanta’ konsiderohen ato kur nëna jeton me lejeqëndrim në Kosovë; kur prindërit janë të divorcuar dhe kujdestarinë e fëmijës e ka babai; kur nëna nuk jeton më dhe kur fëmija është nën përkujdesjen e kujdestarit ligjor.

Aplikimi për këto shtesa do t’i mundësohet babait atëherë kur nëna është me lejeqëndrim në Kosovë; kur kujdestarinë e fëmijës e ka babai pas divorcit apo kur nëna nuk jeton më.

Aplikimi bëhet përmes platformës në e-kosova.

“Pasi aplikuesi ta plotësojë formularin, sistemi automatikisht e verifikon nëse të dhënat janë të sakta dhe nëse aplikuesi është i martuar me një shtetase të huaj, është i ve apo është prind i vetëm”, njofton Ministria e Financave.

Kjo ministri u ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë aplikuar për shtesat për fëmijë përmes e-mail pas datës 20 nëntor, të aplikojnë sërish para datës 20 dhjetor përmes platformës e-Kosova.

“Gjithashtu, aplikimi përmes platformës e-Kosova tashmë është i qasshëm edhe për personat të cilët kanë fëmijë nën kujdestari ligjore. Në këtë rast, kujdestarit ligjor i kërkohet edhe ngarkimi i një dokumenti që dëshmon kujdestarinë ndaj fëmijës”, bënë të ditur MF.