Simptomat e lisë së majmunëve. Foto: REL

MSh njofton se ka pranuar rezultatet e mostrave të dërguara në Holandë për linë e majmunëve

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se mostra e marrë nga  pacienti i dyshuar me linë e majmunëve ka rezultuar negative.

Kjo mostër, sipas MSh-së, është testuar në Holandë.

Më 4 qershor në Kosovë janë shfaqur dyshimet e para për praninë e lisë së majmunëve te një pacient 69-vjeçar nga komuna e Dragashit.

“IKShPK është njoftuar sot nga laboratorët respektiv të këtij shteti, që kjo mostër ka rezultuar negative dhe rasti në fjalë nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga Lia e majmunëve”, thuhet në njoftimin e Institutit.

MSh dhe IKSHPK kanë rekomanduar te qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.