Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPJD: 4 shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ) ka njoftuar se nga Afganistani janë evakuuar 4 shtetas nga Kosova.

“Katër shtetasit e Kosovës me të cilët ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe u është ofruar ndihmë pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, janë evakuuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas MPDJ-së që nga përshkallëzimi i situatës atje, Ministria ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejtë nga Afganistani.

“MPJD-ja vazhdon ta mbaj të hapur linjën emergjente me numër +383 45 492 316, dhe është në dispozicion t’u ofroj ndihmë të gjitha rasteve të reja që eventualisht mund të lajmërohen në periudhën në vijim”, thuhet në komunikatë.

Në Afganistan, militantët talebanë kanë marrë kontrollin e shtetit.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talebanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.