MPB: Qytetarët të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare, jo Jarinjën dhe Bërnjakun

Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar qytetarët që të shmangin pikat kufitare me Serbinë në Bërnjak dhe Jarinje, për shkak të situatës së krijuar në këto pika pas skadimit të marrëveshjes me Serbinë për targa dhe në vend të tyre të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.

MPB-ja ka bërë të ditur se të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, duhet të pasijen me targa të përkohshme të Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Njoftim për qytetarë

Prishtinë

20.09.2021

Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë.

Njëkohësisht, njoftojmë qytetarët të cilët qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, se mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por se në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të sotshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Marrëveshja për targa me Serbinë ka skaduar para 5 dite

 

Të shumtë janë qytetarët që ende po qëndrojnë në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës si shenjë proteste pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme  për zëvendësimin e tabelave të veturave të Serbisë me tabela të përkohshme të Republikës së Kosovës.