Foto: KALLXO.com

Moti në pesë ditë e ardhshme në Kosovë me reshje të dobëta bore dhe temperatura të ulëta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në pesë ditët e ardhshme moti në vend do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa masat e lagështa të ajrit do të mbeten prezent edhe gjatë ditëve vijuese, duke krijuar kushte për reshje të dobëta bore në viset e ulëta, ndërsa në viset e larta, reshjet do të vazhdojnë me intensitet të njëjtë me ditët e fundit.

IHMK ka thënë se në mëngjeset dhe në mbrëmjet e 7 deri më 11 mars 2022 parashihet të ketë ngrica të dobëta.

“Rekomandohet kujdes i shtuar pjesëmarrësve në trafik”, është thënë në njoftim.

Tutje është shtuar se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -6 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-4 gradë Celsius.

Sipas IHMK-së do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s.

Po ashtu, në njoftim të Institutit është thënë se kushtet biometeorologjike janë të favorshme, pasi, sipas IHMK-së, këto reshje kanë ndikuar pozitivisht në të gjitha sferat e jetës, siç janë shëndeti, mbushja e liqeneve akumuluese, krijimi i rezervave të ujit për fushën e bujqësisë.

“Gjithsesi ky mot ka ndikuar pozitivisht edhe në cilësinë e ajrit, pasi që parametri i presionit është nën vlerat e normales dhe prezenca e erës me intensitet të ndryshueshëm ishte kudo”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Foto: Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës/Facebook