Foto: KALLXO.com

Moti në javën e fundit të vitit, me shi e skllotë

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se moti për 5 ditët e ardhshme, nga 28 dhjetori 2020 deri më 1 janar 2021, pritet të jetë i vranët dhe i butë.

Sipas IHK-së, vranësirat e krijuara gjatë vikendit do të vazhdojnë të mbeten jostabile duke krijuar kështu kushte për reshje shiu në viset e ulëta, ndërsa në viset malore reshje sqote.

Në mëngjesin e 1 janarit parashihet të jetë mot më stabil, pa borë në viset malore por vende-vende mund të ketë riga lokale shiu.

Temperatura do të jenë dukshëm mbi vlerat e mesatares, minimalja gjatë kësaj periudhe pesëditore do të lëvizë nga -1 deri 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet parashihet të lëvizin ndërmjet 4-11 gradë Celsius.

“Reshjet e fundit që ranë mbi territorin tonë kanë zbutur sado pak mungesën e ujit në liqenet tona artificiale. Reshje pritet të ketë edhe në ditët vijuese të janarit. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi  me shpejtësi 1-12m/s.”, ka bërë të ditur IHK.