Dardan Molliqaj - PSD

Molliqaj i kërkon Abdixhikut të mos lejojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)  që ta bllokojë procesin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente.

Përmes një letre të hapur drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, Molliqaj ka thënë që zgjedhja e Vjosa Osmanit do të prodhonte pasoja mbi jetën demokratike në Kosovë.

“Pas këtij momenti, opozitës parlamentare do t’i humbas rëndësia, kurse Kuvendi do t’i ngjajë kuvendeve moniste. Kosova për herë të parë pas luftës rrezikon që të gjitha instancat e pushtetit t’i përfundojnë në një adresë. Por ky ende nuk është problemi kryesor. Ky akumulim pushteti e ka mbrapa një ideologji që në fjalë dhe organizim është totalitar”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

“ LDK e ka në dorë ta ndalojë këtë gjë. Barra për formimin e institucioneve në secilën demokraci fillon prej fituesit, sidomos kur fituesi e ka shumicën i vetëm”, ka shkruar tutje ai.

Sot nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lutfi Haziri pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ka thënë se LDK-ja do të luaj rolin e saj pozitiv në ndërtimin e institucionit të presidentit.

“Kryesia e LDK-së në mbledhjen e saj të rregullt pas tre takimeve që ka pasur të ndryshme ka shterur të gjitha debatin e brendshëm lidhur me rolin tonë politik në krijimin e institucioneve. Tashmë dihet se karshi qeverisjes së Vetëvendosjes do të jemi opozitë aktive, ndërsa në ndërtimin e institucionit të presidentit, LDK-ja do të evitojë çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese me rolin e saj pozitiv, në ndërtim dhe në funksion të stabilitetit”, tha Haziri para gazetarëve.

Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars, është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Postimi i plotë i Molliqajt në Facebook:

Letër e hapur Kryetarit të LDK-së

I nderuar z.Abdixhiku,

Zgjedhja juaj në krye të LDK-së është pritur mirë tek qytetarët dhe opinioni publik. Në anën tjetër, gatishmëria juaj për të udhëhequr me subjektin në një kohë të vështirë si kjo duket inkurajuese. Megithatë, siç besoj se jeni të ndërgjegjshëm, pritjet pozitive lidhen më shumë me të ardhmen dhe rrugën përpara sesa me gjendjen e tanishme.

Nuk dua të tingëlloj pretencioz për të thënë se unë kam ndonjëfarë fjale se çfarë vendime duhet të marrë LDK. Nuk e bëj dot as hipokritin sikur unë e dua më të mirën për LDK-në. Por, ka një arsye përtej këtyre që më bën të interesuar për rolin dhe pozicionin e LDK-së.

Vendi si kurrë më herët ka nevojë për opozitë, por edhe ruajtje e balancim pushtetesh. Për bindjen tonë, pushteti i parrullës “Krejt dhe Drejt” është arsye për shqetësim në dy rrafshe: rreziku për demokracinë që paraqet mungesa e balancave të pushtetit; kurse i dyti është diskursi totalitar, diskurs ky që të vërtetën e përjashton nga diskutimi, duke e ontologjizuar dhe lidhur me subjektin e premtuar të historisë. Problemi i parë lidhet me vendimet që do të merren në LDK, por që do ta ndikojnë mbarë vendin. Partia tashmë e ka gjithë pushtetin, qeverisë me gjithçka me të cilën qeverisë e administron Kosova. Dërgimi i insitucionit të Presidentit në Parti, do ta përmbyllte jetësimin e nocionit Parti-Shtet.

Në anën tjetër, problemi i dytë janë fjalët që kemi dëgjuar si arsyetim. Ato janë shprehje e pranimit të hegjemonisë së diskursit që ka imponuar pushteti “Krejt dhe Drejt”. Me një qëndrim që e bën të mundur Vjosa Osmanin të zgjedhet presidente, ju na thoni se akuzat e konspiracionet e 2 viteve të fundit ndaj jush paskan qenë të vërteta.

Faktet elektorale, jo rrallë janë dëshmuar si pikënisje të errëta për botën e shoqëritë. Por, qëndrimet dalluese e këmbëngulja tek e vërteta nuk lejojnë që ato të përkthehen në totalizim të hapësirës publike, diskursive e politike. Ne jemi të bindur se opozita nuk është thjesht mungesë e pjesëmarrjes në qeverisje. Në situatën tonë, një opozitë kritike dhe aktive është kushti i demokracisë.

Kusht i veçantë për të qenë kritik ndaj mendësisë totalitare është mospranimi i saj në parim. Në momentin që e njohim si thirrje legjitime e morale akuzën që vjen prej saj, do të përfundojmë të përmbytur në përpjekjet për shfajësim.  Kjo kritikë, për të hapur horizontin e mbyllur, duhet të ketë linja të qarta demarkimi, por edhe kritikë, aksion, e jetë përtej dhe ndryshe nga ushtrimet e lojërave të pushtetit. Opozita nuk duhet të jetë ilustrim as provë për tezat, çështjet apo akuzat e pushtetit.

Z. Abdixhiku,

Ne jemi të shqetësuar për pasojat mbi jetën demokratike të vendit që do të prodhonte zgjedhja e Vjosa Osmanit Presidente. Pas këtij momenti, opozitës parlamentare do t’i humbas rëndësia, kurse Kuvendi do t’i ngjajë kuvendeve moniste. Kosova për herë të parë pas luftës rrezikon që të gjitha instancat e pushtetit t’i përfundojnë në një adresë. Por ky ende nuk është problemi kryesor. Ky akumulim pushteti e ka mbrapa një ideologji që në fjalë dhe organizim është totalitar. LDK e ka në dorë ta ndalojë këtë gjë. Barra për formimin e institucioneve në secilën demokraci fillon prej fituesit, sidomos kur fituesi e ka shumicën i vetëm.

Me respekt, Dardan Molliqaj