Sergio Faustini, pacient me coronavirus, duke biseduar me familjen e tij përmes video chat në një spital në Brescia, Italia veriore, të dielën. Foto: Spedali Civili di Brescia

Mjeku shqiptar tregon pse Italia regjistroi numër të madh të rasteve me COVID-19

Hektor Grazhdani, mjek në Itali, ka treguar disa nga arsyet pse ky shtet, sipas tij, u bë qendër e coronavirusit në Europë.

Sipas Grazhdanit, një prej arsyeve është edhe pse politika në Itali nuk e mori seriozisht me fillim të shfaqjes së virusit në këtë vend.

“Italinë e goditi pandemia për shkak se edhe politika e mori me lehtësi dhe me dyshime se sa e rëndë ishte situata. 18 ditë u mundua që të kuptohej epidemia, derisa kaluam në fazën që njerëzit të mbyllen në shtëpi”, ka thënë ai në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ai shtoi se vonesa prej 18 ditësh nga ana e reagimit të politikës në vend u kushtoi shumë.

“18 ditë vonesë krijuan këtë gjendje të vështirë sepse epidemia në fillim ka një fazë që rritja është e ulët pastaj numri i rasteve të reja merr një rritje potenciale dhe frenimi kur rritja bëhet e madhe është shumë i vështirë’, tha mjeku në Itali.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” është duke u debatuar me shqiptarët që po punojnë në luftimin e pandemisë në Amerikë, Itali, Angli e Singapor.