Vuçiq për Rregulloren e BQK-së: Mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, komentoi Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, e cila parasheh që valuta e vetme për pagesa është euroja.

Vuçiq tha se kjo Rregullore mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë kanë krijuar në këtë territor kushte të padurueshme për serbët. Situata e tillë në mungesë të reagimit të mirëfilltë mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë” – u shpreh ai.

I njëjti shtoi se mbijetimi i serbëve në Kosovë në masë të madhe bëhet nga asetet në dinarë që tha se vijnë mbi të gjitha nga Qeveria e Serbisë.

Ai tutje përmendi pagat, bursat e kuzhinat popullore që paguan Serbia për serbët në Kosovë, duke thënë se ndalimi i transaksioneve në dinarë në Kosovë do të pengojë serbët për jetesë.

Sipas Vuçiqit, ndalimi i dinarit do të ndikojë edhe në shëndetësi, arsim e sektor të tjerë.

“Vendimi për të ndaluar pagesat me dinarë, regjimi i Prishtinës pamundëson drejtpërsëdrejti funksionimin e të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore që u mundësojnë serbëve t’i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre mjetet bazë për të pasur arsimim, për të marrë trajtim mjekësor dhe për të bërë gjithçka që konsiderohet si jetë e zakonshme me një dinjitet minimal njerëzor” – ka thënë presidenti serb.

“Ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj serbëve” – u shpreh presidenti serb gjatë fjalimit të tij.

Tutje ai tha se liderët shqiptarë përdorin sundimin e ligjit vetëm sa për të dëmtuar serbët dhe kishën serbe.

“Unë do ta shpërfytyroj me fakte mungesën e plotë të ndonjë baze argumentimi të regjimit në Prishtinë duke pretenduar se është marrë një masë për heqjen e dinarit dhe futjen e euros si mjet i vetëm ligjor vetëm për të propozuar një gjoja sundim të ligjit. Keni në mendje që udhëheqja e shqiptarëve në Kosovë përdorin termin ‘sundim i ligjit’ vetëm për të dëmtuar serbët dhe Kishën Ortodokse Serbe” – u shpreh Vuçiq.

Tutje ai përmendi edhe çështjen e zgjedhjeve të mbajtura në prill të 2023.

Vuçiq zgjedhjet vlerësoi se u mbajtën, sipas tij, në kushte jodemokratike.

“Këto zgjedhje janë mbajtur në kushte krejtësisht jo demokratike dhe kryetarët e paligjshëm shqiptar kanë zënë zyrat me mbështetjen e formacioneve të armatosura shqiptare të pajisura mirë, kjo është përcjell me heqjen e simboleve të Serbisë dhe vendosjen e atyre të Kosovës” – tha Vuçiq.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia përfaqësohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet me para në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores.