Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë , Lukas Mandl, 03 shkurt 2022

Misioni i BE-së: Kishte mungesë transparence nga kandidatët për financimin e fushatës

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EU EOM) publikoi sot raportin përfundimtar për zgjedhjet komunale të vitit 2021.

Shefi i misionit, Lukas Mandl, tha se në përgjithësi zgjedhjet komunale të vitit 2021, ishin të organizuara mirë dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi përgatitjet në mënyrë profesionale.

“Këto në përgjithësi ishin zgjedhje të organizuara mirë, në të cilat u respektuan liritë themelore dhe votuesve iu dha mundësia reale për të zgjedhur, me përjashtim të komunave serbe të Kosovës ku konkurrenca ishte e kufizuar. KQZ-ja zhvilloi përgatitjet zgjedhore në mënyrë profesionale dhe gëzoi nivel të lartë besimi midis palëve të përfshira”, deklaroi Mandl.

Mirëpo, Mandl theksoi se një ndër çështjet shqetësuese është mungesa e transparencës në lidhje me financimin e fushatave të kandidatëve dhe disa mangësi në kornizën ligjore.

“Një ndër çështjet ë shqetësuese mund të veçoj mungesën e transparencës dhe llogaridhënies që p;o vazhdon që një kohë në të gjatë në lidhje me financimin e fushatave të kandidatëve. Përveç kësaj, që një kohë të gjatë ekzistojnë disa mangësi në kornizën ligjore që përfundimisht duhet të adresohen dhe tani është koha për reforma thelbësore”, ka theksuar Mandl.

Mandl tregoi se raporti final jep 23 rekomandime që duhet të merren parasysh, përfshirë edhe ato nga misionet e mëparshme të BE-së.

“Rekomandimet tona duhet të lexohen së bashku me ato që tashmë janë propozuar nga misionet e mëparshme të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Disa prej tyre kërkojnë ndryshime legjislative, të tjerat mund të adresohen përmes rregulloreve të miratuara nga KQZ-ja dhe institucionet tjera” tha Mandl.

Tutje ai ju ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që këto rekomandime të shndërrohen në vepra konkrete.

“Dëshiroj të inkurajoj të gjitha palët e interesuara që të marrin parasysh rekomandimet tona, të cilat po i paraqesim me mirëbesim, dhe në fund të shndërrojnë fjalët në veprime konkrete”, shtoi Mandl.

Mandl gjithashtu njoftoi se, EU EOM ishte vendosur në Kosovë nga 5 shtatori deri më 5 dhjetor 2021 me rreth 100 vëzhgues nga 22 vende anëtare të BE-së si dhe nga Norvegjia e Zvicra i vëzhguan këto zgjedhje.

KËTU mund të gjeni raportin e plotë të publikuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë 2021.