Ilustrim: Diar Vuçetaj/Kallxo.com

KQZ hap tender për blerjen e kamerave vëzhguese që do të vendosen nëpër vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se ka hapur tenderin për blerjen e kamerave për regjistrimin e procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, KQZ ka thënë se vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimeve do të bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe sipas tyre, të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.

“Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit” – thuhet në komunikatë.

Sipas KQZ-së, ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi dhe me qëllim që t’u ofrohen institucioneve ligjzbatuese.

KQZ ka thënë se këto kamera nuk do t’i monitorojë, por regjistrimi nga ana e tyre do bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 1 milionë e 55 mijë euro, ndërsa është i hapur deri më 11.07.2024.

Gjatë votimit për ose kundër largimit të kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në prill 2024, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, për herë të parë në një proces zgjedhor që është organizuar në Kosovë, u patën vendosur edhe kamera nëpër vendvotime.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, plani i saj për të vendosur kamera vëzhguese në vendvotime gjatë votimit për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të mbajtura më 21.04.2024, vlen për të “gjitha proceset e ardhshme” zgjedhore në vend.

A e cenon fshehtësinë e votës vendosja kamerave prapa kabinave të votimit?