Miratohet Projektligji për KPM-në në Komisionin Parlamentar, Besnik Tahiri largohet nga salla kur votohet

Besnik Tahiri nga AAK-ja nuk ka marrë pjesë në votimin për Projektligjin për KPM-në në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal duke u larguar nga salla.

Ky komision e miratoi në parim projektligjin për KPM-në.

Pro këtij vendimi kanë votuar deputetët e LVV-së; Valon Ramadani, Nijazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi si dhe Fidan Jilta nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, kurse deputeti i PDK-së Isak Shabani nuk ka marrë pjesë në votim, edhe pse ishte prezent.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Në këtë komision, prezantimin e këtij projektligji nga zv.kryeministri Besnik Bislimi, për të cilin projektligj tha se është në harmoni me direktivat e BE-së dhe garanton treg medial të shëndoshë dhe konkurrencë, duke ofruar kushte të barabarta për të gjithë.

Ai foli edhe për pronësinë e mediave duke thënë se janë shkaktuar dëme të mëdha për shkak të mungesave të rregullave që rregullojnë pronësinë e mediave.

“Kemi qenë dëshmitarë të dëmeve nga mungesa e rregullave që kërkojnë transparencë për pronësinë e mediave. Transparenca në pronësinë  e medias është e lidhur me të drejtën e shprehjes.” – shtoi ai.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, më 3 shkurt është transmetuar emisioni në të cilin u diskutua për këtë projektligj.

Valon Ramadani, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është kryetar i Komisionit që do ta trajtojë sot këtë çështje, i ftuar në këtë emision kishte thënë se ndjehet i gëzuar se ka shkuar ky projektligj në Kuvend dhe se AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje.

“Po flasim për lajmin kryesor, për ligjin për KPM-në. Unë jam i gëzuar që më 15 janar ka ardhur projektligji për KPM-në, ky ligj është në harmoni me direktivën dhe është direktivë e Bashkimit Evropian”- kishte thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje gjatë konferencës për media. Ai tha se mediat nuk do të licencohen sipas ligjit të ri por do të regjistrohen vullnetarisht.

Ndryshimet lidhur me projektligjin në fjalë mund t`i lexoni duke klikuar këtu.