Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Ministrja Haxhiu udhëton për në Hagë, pritet t'i takojë Krasniqin, Selimin, Gucatin, Haradinajn dhe Shalën

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, nesër do të udhëtojë për në Hagë, ku pritet ta vizitojë edhe qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale.

Genc Nimoni, shefi i kabinetit të ministres Haxhiu për KALLXO.com ka thënë se delegacioni nga Kosova deri më tani i ka të konfirmuara takimet me disa nga të burgosurit që janë duke u mbajtur atje.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputetin Erxhan Galushi, do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim. Delegacioni nga Republika e Kosovës do të takohet me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën”, tha ai.

Ndërsa sa i përket takimit të mundshëm të ministres Haxhiu me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, Nimoni tha që nuk kanë të konfirmuar takim me ta, duke theksuar ‘janë të hapur për secilin që ka vullnet dhe interesim për t’u takuar me ministren’.

Në Hagë janë duke u gjykuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Sali Mustafa, Pjetër Shala.

Raportimet për proceset gjyqësore për të lartcekurit mund t’i gjeni këtu.