Ministrja Haxhiu emërohet Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, si Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Ai ka thënë se përpjekjet për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme.
Ndërsa, ka thënë se për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, është miratuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026).
“Kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike. Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”- ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se është rregulluar baza ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, dhe prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste.
“Për të parandaluar përsëritjen e dhunës, kemi miratuar Kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje. Ndërsa më 29 nëntor do ta lansojmë Programin Kombëtar për Kryerësit e dhunës ndaj grave”- ka thënë ai.
Ndërsa ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka planifikuar mbi 80 aktivitete në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, e cila do të hapet më 25 nëntor.