Rozeta Hajdari shpallet fajtore nga Gjykata për mosdeklarimin e pasurisë

Gjykata në Prishtinë ka gjetur fajtore ministren e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.

Të njëjtën gjykata e ka dënuar me 700 euro dënim me gjobë, pasi që e njëjta e kishte pranuar fajësinë.

 Në seancën e djeshme Hajdari  kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

Hajdari, kishte deklaruar se është këshilluar gabueshëm, që mundet të deklarojë pasurinë në fund të mandatit të ministrit.

“Unë duhet të ndihem në faj, meqë ka ndodhur një konfuzion, për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë, është shtyrë afati ligjor, unë jam këshilluar që mundem të deklaroj pasurinë në fund të mandatit, kështu personalisht, fizikisht, kam shkuar vet në fund të mandatit” – tha vet Ministrja Hajdari në Gjykatë.

Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, në fillim të gjykimit kishte kërkuar që ky rast të kalojë në ndërmjetësim.

Këtë propozim e kishte kundërshtuar prokurori i rastit Bekim Kodraliu, meqë sipas tij nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për të kaluar në këtë procedurë.

“Konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kalim në ndërmjetësim pasi që rasti në fjalë, si vepër është në kapitullin e veprave penale të korrupsionit” – tha prokurori.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë pretendim të prokurorisë, duke u thirrur në ligjin për ndërmjetësim duke thënë se lejohet dhe i kërkoi gjykatës që ta aprovojë këtë kërkesë.

Gjyqtarja e rastit, Donika Shala propozimin e mbrojtjes kishte refuzuar që të referojë rastin në procedura të ndërmjetësimit.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk  e ka respektuar ligjin dhe ka kryer veprën penale mosraportim të pasurisë ose raportim i rremë i pasuris

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si Ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit AKK për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.