Ministrja Artane Rizvanolli nis dëshminë para Komisionit Hetimor për Energji

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës është duke intervistuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në raportimin e saj, Rizvanolli ka folur për marrjen e masave në kohën kur vendi ishte në krizë energjetike.

“Kemi përcjellë situatën, i kemi përcjellë çmimet edhe gjendjen në vendet e rajonit dhe Evropës. Në tetor kemi pasur një gjendje më të rëndë, prej kur kemi filluar takime të rregullta”, ka thënë ajo.

Tutje Rizvanolli ka treguar se më 2 nëntor kanë krijuar një grup, task-forcë me qëllim të menaxhimit të krizës.

“Unë kam krijuar një grup, një task-forcë në rast të krizave emergjente. Task-forca është themeluar më datën 2 nëntor dhe detyra ka qenë që ajo të përcjell gjendjen dhe të më informojë për gjendjen”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka treguar se Kosova ka pasur një rekord për kërkesë të energjisë, në momentin kur e gjithë Evropa është përballur me një krizë të njëjtë.

“Në këtë krizë, kur Evropa është përballur gjithashtu, ne kemi arritur në një rekord për kërkesë të energjisë elektrike. Kemi pasur një situatë mjaftë të disfavorshme”, tha ajo.

Në fund Rizvanolli tregoi edhe për parat që janë ndarë për menaxhim të krizës, duke thënë se 20 milionë euro janë ndarë në dhjetor dhe më janar janë ndarë edhe 10 milionë euro tjera.

Ferat Shala deputeti Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar të di nga ministrja Rizvanolli se a është në dijeni që KEDS-i dhe KOSST-i kanë kryer tregtim të energjisë elektrike me ndërmarrje që nuk kanë licencë.

Rizvanolli, tha se nuk është detyrë e ministrisë që ta kontrolloj tregun.

“Pyetjen e kuptojë, mirëpo nuk e kam të qartë çfarë rregulla kanë thyer. Unë nuk kam asnjë arsye të besoj që këto ndërmarrje kanë kryer diçka të tillë. Nuk është detyrë e Ministrisë që ta kontrolloj tregun, edhe listën nëse e marr qetash nuk e di kush ka licencë e kush jo”, tha ajo.