Ministria nuk ia aprovon dy profile të Mjekësisë shkollës profesionale në Drenas

Dy profile të Mjekësisë në shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, janë mbyllur nga Ministria e Arsimit.

Drejtoria e Arsimit në Drenas thotë se janë njoftuar se drejtimi i Farmacisë dhe Infermierisë nuk janë aprovuar nga ky institucion, pikërisht në ditën kur është hapur konkursi për regjistrimin e nxënëseve në klasën e 10-të për vitin akademik 2021/22.

Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka, nuk kanë marrë fare paralajmërim e që këtë gjë e quan shqetësuese.

Gjoka në një prononcim për KALLXO.com thotë se një muaji më parë kanë dërguar planifikimin për dy profilet e që nga ajo kohë nuk kanë marrë asnjë koment.

“Në dy muajt e fundit kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me divizionin e Hartimit Profesional në kuadër të Ministrisë së Arsimit. I kemi harmonizuar profilet siç i kanë kërkuar. Me 2 qershor e kemi dërguar planifikimin duke përfshirë edhe këtu dy profilet edhe infermierinë dhe farmacinë. E kemi dërguar para një muaji kërkesën dhe nuk kemi marrë asnjë koment e as vërejtje. Unë e kam kuptuar të hënën kur e ka filluar regjistrimin, nuk e kemi ditur që ata nuk e kanë paraparë që shkolla profesionale mos me i pas këto dy drejtime”, tha Gjoka.

Pas kësaj, ai thotë se kanë dërguar ankesë në Ministrinë e Arsimit.

“Më kanë thanë që janë duke u marrë se kanë ankesa prej gjitha komunave, vetëm se neve nuk kemi qenë të njoftuar me kohë apo nuk kemi pasur asnjë kriter që është dashtë me u plotësu që me i pas ose jo këto profile. Kjo ka qenë më shqetësuese për neve. Nuk kemi marrë diçka zyrtare që me na tregu që nuk e kemi të aprovuar”, thotë ai për KALLXO.com

Si rrjedhojë, sipas Gjokajt, nxënësit që nuk arritën të regjistrohen në ketë afat në këto drejtime, detyrohen që të aplikojnë në shkollat e komunave tjera e që me e afërta është ajo në Prishtinë.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një postim në “Facebook” bëri të ditur se MASHTI nuk e ka aprovuar kërkesën për profilin mjekësor (farmaci) në shkollën ‘Fehmi Lladrovci’, për arsye se ky institucion nuk ka pasur aprovim as vendim për lejimin e profilit të lartcekur.

Në këtë publikim nuk është bërë i ditur fati i drejtimit të Infermierisë.

KALLXO.com ka provuar sot gjatë ditës që të vihet në kontakt me Nagavcin që të sqarojë këtë çështje por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ajo nuk është përgjigjur.

Përveç kësaj shkolle në Drenas janë edhe pesë shkolla tjera në komunat Podujevë, Deçan, Dragash, Rahovec dhe Klinë. Nagavci ka thënë se secilës prej këtyre komunave u është dërguar nga MASHTI nga një letër e veçantë me sqarimet, udhëzimet dhe bazën ligjore të cilën duhet ta ndjekin nëse kanë dëshirë të vijojnë me profilet e caktuara.

E që të në njëjtat, mund të parashtrojnë kërkesë me shkrim për hapjen e profileve mjekësore për vitin shkollor 2021/2022, deri me datë 12.07.2021, përmes arkivit të MASHTI.

Komisioni do t’i verifikojë dhe nëse i plotësojnë kushtet do të vazhdojnë punën në muajin gusht.