Ministria e Mjedisit angazhoi 162 persona me kontrata mbi vepër

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 162 persona me kontrata për shërbime të veçanta, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Financave.

Gjatë auditimit të pasqyrave financiare, Auditori i ka testuar 6 kontrata për të parë rregullsinë e tyre, duke gjetur se nuk ishte respektuar afatin kohor prej gjashtë muajsh dhe procedurat e konkurrencës për 2 nga të punësuarit. Përveç kësaj, ministria nuk kishte shpallur as konkurs, sic obligohet me ligj.

“Sipas Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Neni 12, pika 4 – emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” (MShV) të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, shpjegon Auditori i Përgjithshëm.

Sipas këtij institucioni, angazhimi i personave me kontratë mbi vepër pa i respektuar procedurat ka dëmtuar konkurrencën dhe ka mohuar mundësinë që kandidatët e tjerë të punësohen në ato pozita.

“Ministri duhet të siguroj se angazhimet me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta bëhen duke aplikuar procedurat e thjeshtësuara të rekrutimit të parapara me ligj dhe kohëzgjatja e tyre të jetë brenda afatit 6 mujor”, thuhet në fund të gjetjeve të Auditorit.