Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Ministria e Kulturës ndan çmimet për teatër

Zëvendësministrat e MKRS-së, Engelbert Zefaj dhe Halil Matoshi, në një ceremoni solemne në kabinetin e MKRS-së, kanë bërë ndarjen çmimeve për teatër për vitin 2019.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, që u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e teatrit, për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin në avancimin e teatrit, iu nda aktorit dhe regjisorit Luan Daka.

Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, që ndahet për shfaqjen që ka treguar sukses të jashtëzakonshëm për nga vlerat, profesionalizmin, shikueshmërinë dhe suksesinë në prezantimin kombëtar gjatë vitit paraprak, iu nda shfaqjes “ERVEHEJA” të regjisores Drita Begolli.

Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, kreative, inovative dhe origjinale, iu nda regjisores Elmaze Nura për shfaqjen “KOPRRACI”.

Çmimi vjetor për aktorin/aktoren më të mirë, që i ndahet aktorit/aktores që ka pasur performancë të shkëlqyeshme në një rol ose disa role teatrore, me shumicë votash, iu nda aktorit Adrian Morina për rolin në shfaqjen  “Unë jam vetë grua”.

Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, që u jepet produksioneve teatrore, regjisorit, aktorit, dramaturgut, skenografit apo krijuesit për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar iu nda organizatës kulturore “Qendra Multimedia”, e cila realizoi disa prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze dhe në të njëjtën kohë ka bërë edhe prezantimin e Kosovës në fushën e teatrit.