Ministri Sveçla kërkon angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryerësve të dhunimit të 11-vjeçares

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me dhunimin seksual që i është bërë një vajze 11 vjeçare nga pesë persona në Prishtinë.

Përmes Facebookut, ministri ka thënë se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryerësve të këtij akti.

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal” – ka shkruar Sveçla i cili ka shtuar se veprime të tilla nuk duhet të tolerohen dhe se vendi duhet të jetë i sigurtë për të gjithë qytetarët e sidomos për gratë dhe vajzat

“Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër” – ka përfunduar ai.

Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se vajza e saj 11-vjeçare, para dy ditëve është dhunuar në Prishtinë nga pesë persona të dyshuar.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 27 gusht të këtij viti, rreth orës 17:30 deri në 00:30 dhe deri tani janë arrestuar dy persona të dyshuar për të cilët është thënë se pas intervistimit me vendim të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur, dhunim, ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Kurse, Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.