Ministri Mehaj reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për "dronët që po lëvizin nga territori i Kosovës"

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mehaj ka thënë se janë të pavërteta deklarimet e Vuçiqit për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimet e Rashkës.

“Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut” – ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka shtuar se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat serbe, Vuçiqi është duke tentuar të krijojë “destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë, tek të gjithë ata që përdorin targa ilegale të Serbisë, e të cilat u’a rikujtojmë se janë të tilla, ilegale, pasi janë në kundërshtimin me marrëveshjen e derivuar nga dialogu në mes të dyja palëve”.