Foto: James O'Brien / X

Ministri Maqedonci u takua me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, rikonfirmojnë partneritetin SHBA-Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar sot me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

O’Brien ka thënë se në këtë takim është rikonfirmuar partneriteti i SHBA-së me Kosovën.

“Ne e mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës ndërsa ajo kalon në një forcë mbrojtëse territoriale multietnike, profesionale, e ndërveprueshme nga NATO-ja, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile. Jam i lumtur që takohem sot me ministrin kosovar të Mbrojtjes dhe rikonfirmojmë partneritetin tonë me Kosovën”- ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Lidhur me këtë takim ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Teksa ka shpërndarë postimin e O’Brien, Hovenier ka thënë se bashkëpunimi në sektorin e sigurisë është thelbësor, përfshirë mbështetjen e integrimit të plotë të Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike.

“Takimi i rëndësishëm mes ministrit Maqedonci dhe Ndihmëssekretarit O’Brien sot. Bashkëpunimi ynë në sektorin e sigurisë është thelbësor për arritjen e qëllimeve tona me Kosovën, duke përfshirë mbështetjen e integrimit të plotë të Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike”- ka thënë ai.