Foto: Ejup Maqedonci/facebook

Ministri Maqedonci në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në vijim të qëndrimit tim në Bruksel ka marrë pjesë në takimin e 23-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Ai ka thënë se i shoqëruar nga ambasadori Astrit Zemaj ka marrë pjesë në takimin e udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin.

Në këtë takim ministri tha se u diskutua për situatën aktuale në Ukrainë dhe për ndihmën ushtarake që shtetet duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës e popullit të saj që po përballet me agresorin rus.

“Populli ukrainas po lufton për vlerat demokratike që njohim. Të papërkulur ata po vazhdojnë rezistencën dhe luftën e tyre për liri, duke impresionuar botën me aftësitë dhe guximin e tyre, dhe në këtë përballje me agresorin ata nuk janë vetëm, kanë përkrahjen e mbi 50 shteteve, në mesin e tyre dhe Kosovës” – tha Maqedonci.

Tutje ai shtoi se Kosova qëndron me Ukrainën ngase është me të drejtën, lirinë e popujve dhe sovranitetin e pakontestueshëm të shteteve.

Sipas të parit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ukraina po lufton për të gjithë, po lufton për të ndalur tiranët që mendojnë se mund të shkelin kufijtë dhe të pushtojnë fqinjët e tyre, andaj ai tha se Rusia duhet ndalur.