Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Ministri Kuçi deklarohet për kolapsin në Telekom

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka bërë të ditur se sot kanë zhvilluar një takim të thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti lidhur me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit të Kosovës.

Ky takim është mbajtur para njoftimit sot pasdite se përmbaruesi privat i kompanisë “DARDAFON.NET” ka urdhëruar bankën “Raiffeisen Bank” që brenda 60 minutave nga llogaria e Telekomit të Kosovës të tërheqë borxhin prej më shumë se 26 milionë euro.

Kurse ministri Kuçi ka bërë të ditur se Bordi i Telekomit u deklarua se nuk dëshiron të futet në asnjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, edhe nëse Qeveria e Kosovës i jep mbështetje.

Pas publikimit të urdhëresës së përmabruesit, KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Telekomi i Kosovës, por drejtues të tij kanë qenë të paqasshëm përmes telefonit.

Ndërkaq, sipas ministrit Kuçi, situata e bllokimit të xhirollogarive të Telekomit të Kosovës, po e bën këtë çështje çdo ditë e më urgjente për veprime, pasi rrezikohet funksionimi i vet ndërmarrjes, por edhe ekzekutimi i pagave të punëtorëve.

“Sot në një takim të thirrur nga Kryeministri Avdullah Hoti, ku morëm pjesë të gjithë akterët të implikuar në këtë çështje, Bordi i Telekomit u deklarua se nuk dëshiron të futet në asnjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, edhe nëse Qeveria e Kosovës i jep mbështetje”, shkroi ai në Facebook.

“Si rrjedhojë, ky veprim i Bordit të Telekomit rrezikon të mbyllë derën e një zgjidhjeje, që po rezulton si e vetmja zgjidhje, dhe po e çon Telekomin në një krizë për pagesën e shpenzimeve operative, ku bëjnë pjesë edhe pagat e punëtorëve”, ka theksuar ai.

Ministri ka shtuar se në të njëjtën vijë ka raportuar edhe në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.

“Si ministër nuk do të ndaloj së punuari për të zgjidhur këtë problem, ani pse kompleksiteti i tij është i madh”, thuhet në publikimin e tij.