Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri i ri i Pushtetit Lokal premton rimëkëmbje ekonomike të komunave

Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti 2, Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, pas marrjes së mandatit si ministër premtoi që menjëherë do të fillojë punën për rimbëkëmbjen e komunave nga pasojat që po lë pandemia.

Krasniqi, i cili është ministri i parë nga komuniteti egjiptian në Kosovë, thotë që fillimisht do të ketë prioritet takimet me kryetarët e komunave dhe përgatitjen për konferencën për donatorë.

“Nga vizitat në komuna do të shohim se sa ka ndikuar pandemia në buxhetin e komunave dhe sfidat e ta përgatisim konferencën ekonomike që të fillojmë me rimëkëmbje ekonomike reale jo vetëm nga mjetet vetanake ekonomike, grantet nga Qeveria dhe ndihma nga donatorët”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ministri ka thënë që prioritet i Ministrisë do të jetë digjitalizimi i shërbimeve komunale.

 “Do të bëjmë digjitalizmin e shumë shërbimeve komunale dhe do fillojmë ta implementojmë në fillim të këtij mandati”, thotë ai.

Deputetët e Kuvendit me 67 vota pro dhe me 30  kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar dje për Qeverinë Kurti 2.