Ministri i Arsimit flet për Zëvendësministrin student: E ka besimin tim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në një intervistë për KALLXO.com ka komentuar emërimin e Zëvendësministrit të këtij dikasteri, Driton Bardheci.

Bardheci ishte në qendër të reagimit publik pasi u bë e ditur se ai nuk posedon diplomë të studimeve Bachelor.

Likaj ka thënë se Bardheci është nominuar në këtë pozitë, pasi që e ka fituar besimin e AAK-së.

“Zv.ministri që është nominuar Driton Bardheci e ka fituar besimin e strukturave udhëheqëse të Aleancës dhe e ka besimin tim. Është një djalë i ri, një djalë i vullnetshëm, i cili ka guxim, ka punuar shumë me rininë dhe i cili natyrisht se i  njeh problemet e rinisë”, tha Likaj.

Ai ka shtuar se puna e Bardhecit në këtë ministri do të jetë kryesisht me rininë.

“Ne i kemi menduar me ja caktu bashkëpunimin me rini, kryesisht edhe me Ministrinë e Kulturës, i kemi disa projekte dhe bashkëpunim, por edhe rinia e pa punë edhe trajnimet të ndryshme. Natyrisht eksperienca e tij nuk është shumë e madhe në MASh, për këtë arsye ne do t’i ndihmojmë që me përfundu me sukses këtë detyrë”, ka theksuar Likaj.

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Bardheci u emërua në këtë pozitë më 23 qershor.

Bardheci kishte reaguar duke thënë se pandemia me COVID-19, ia ka shtyrë diplomimin.

Intervistën e plotë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj mund ta lexoni nesër në KALLXO.com.