Miliona për dreka zyrtare, ndërsa mbi gjysma e qytetarëve e shohin mishin luks

Qeveritarët në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 3.3 milionë euro për dreka zyrtare çdo vit.

Vetëm në vitin 2019, shpenzimi në këtë fushë  arriti vlerën e 3.7 milionë eurove, ku mishi është pjesë e pa ndashme e menysë.

Ndryshe nga këta, janë mbi 61 përqind e familjeve në Kosovë që ushqimin me mish e konsiderojnë luks.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë më shumë se 61 për qind e familjeve në Kosovë që nuk mund ta përballojnë shpenzimin për të blerë mish, pulë apo peshk çdo dytën ditë.

“38.7% e ekonomive familjare mund të përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë, ndërsa 61.3% e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë këtë shpenzim.”, thuhet në raport.

Ekonomia familjare përfshin të gjithë personat që jetojnë në një shtëpi apo banesë të përbashkët dhe që kanë të përbashkëta mjetet kryesore të jetesës.

Këto të dhëna, ASK i bëri të ditura me publikimin e raportit-anketësmbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës në vitin  2018.

Sipas ASK-së, Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (AAKJ) mbulon të gjitha Ekonomitë Familjare në territorin e Republikës së Kosovës pavarësisht nga madhësia e tyre ose karakteristikat socio-ekonomike. Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (AAKJ) në vitin 2018 përfshin një mostër prej 4.500 ekonomi familjare..

Vetëm në vitin 2019 u shpenzuan hiç më pak se 3.7 milionë euro në dreka zyrtare apo më shumë se në vitin 2018 kush shpenzimet për dreka zyrtare ishin mbi 3.4 milionë euro dhe në vitin 2017 mbi 2.9 milionë euro.