Foto: ZPRK

Milanoviq për bazën ku u stërvitën serbët: Nuk mund të futesh pa aprovim të komanduesve të lartë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se Serbia duhet të jap përgjigje për shumë dilema të ngritura pas sulmit të 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Armët, trajnimet, xhirimet, të gjitha këto kanë mbetur në dispozicion të Kosovës dhe aleatëve, livadhet, kazermat, kam qenë aty, nuk bëhet fjalë për IKEA, nuk është cirk. Për t’u futur aty duhet të kesh aprovimin prej dikujt prej komanduesve më të lartë, ka shumë prej njerëzve që janë më të afërt me liderin e madh të Serbisë, dhe prandaj shtohen disa prej pyetjeve që duhet të sqarohen, përgjigje të cilat Serbia do të duhej që t’i jap”- tha ai.

Milanoviq në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani,  kritikoi edhe kryediplomatin evropian, Josep Borrell duke thënë se masat kufizuese ndaj Kosovës duhet të bojkotohen.

“Natyrisht, Kosova është nën sanksione, nën sanksione të Komisionit Evropian dhe i ftoj ata që t’i bojkotojnë ato. Dhe këto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga z.Borrell, i cili shpresoj së shpejti shkon në pension dhe si të them t’i ndalojnë, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrelli, ekipi i tij, të cilat na ndalojnë dhe kërcënojnë të gjithë ne që të takohemi në disa nivele të caktuara me disa përfaqësues të Kosovës”- tha ai.

“Si të presim që të kemi objektivitet nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, nga dikush që është spanjoll e që drejton politikën evropiane kundër Kosovës” – shtoi ai.

Në këtë konferencë, presidentja Osmani ka kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, sepse sipas saj kjo është mënyra e vetme se mund të frenohet Serbia nga sulmet e tjera në të ardhmen.

“Pas aktit të agresionit të 24-shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe frenimi i Serbisë, sanksioni i Serbisë  për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”- tha Osmani.

Presidentja Osmani është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kroaci.

Autoritet në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian vënien e masave për Serbinë pas sulmit terrorit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, tani më hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, u plagos një polic, dhe një tjetër u lëndua.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Osmani kërkon frenimin e Serbisë si masë parandaluese për sulmet e tjera