Milaim Zeka - Arkiv

Milaim Zeka përballet me akuzën se kërcënoi me kanun prokurorin Afrim Shefkiu

Në bankën e të akuzuarit është ulur sërish Milaim Zeka i akuzuar për kanosje.

Ish-deputeti Milaim Zeka para Gjykatës së Prishtinës u deklarua i pafajshëm duke e konsideruar aktakuzën e prokurorisë si politike.

“Kjo është një aktakuzë puro politike të cilën unë gjatë seancave të ardhshme do ta dëshmojë me dokumente e dëshmitarë, sepse unë kurrë nuk e kam përmend emrin e prokurorit Afrim Shefkiu në emision” – tha Zeka.

Milaim Zeka akuzohet se në vitin 2018 e ka kanosur prokurorin e Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiu në televizionin T7, emisionin DPT te Fidani, ngase Shefkiu i kishte ngritur atij aktakuzë për të cilën ishte caktuar seanca fillestare në gjykatë.

Sipas aktakuzës, Zeka e kishte kanosur prokurorin me fjalët “unë do ta ndjekë këtë prokurorin tim, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”.

Milaim Zeka ishte arrestuar në shtator të vitit 2018.

Ndaj deklaratave të Zekës në atë kohë, kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës

“Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron të gjithë se këto kërcënime janë duke u trajtuar seriozisht dhe në nivelin e urgjencës, të cilën e meritojnë”, thuhej në reagimin e atëhershëm të KPK-së.

Ndërsa në një bisedë për KALLXO.com, Zeka kishte përsëritur këtë kërcënim nda prokurorit Afrim Shefkiu, madje kishte përmendur edhe kryeprokurorin e atëhershëm, Aleksandër Lumezin dhe presidentin Hashim Thaçi.

“Prokurori Afrim Shefkiu së bashku me Aleksandër Lumezin mua më kanë kërcënuar ma kanë vu jetën në rrezik dhe të familjes sime duke ia dhënë “…”(një media në Kosovë) një audio incizimet fotografitë private, gjërat private që më kanë rrezikuar jetën dhe kam marrë 100 kërcënime nga banditë të rrezikshëm anekënd Kosovës. Juridikisht penalisht, privatisht dhe me kanun deri në vdekje do t’i ndjek, Afrim Shefkiun, Aleksandër Lumezin dhe Hashim Thaçin”, kishte thënë Zeka me 25 shtator të 2018 për KALLXO.com

Milaim Zeka ripërsërit kërcënimet për Aleksandër Lumezin e Afrim Shefkiun