Milaim Zeka - Arkiv

Milaim Zeka ripërsërit kërcënimet për Aleksandër Lumezin e Afrim Shefkiun

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka, është deklaruar në lidhje me deklaratat e tij të cilat sipas një njoftimi Prokuroria e Shtetit i ka cilësuar si kërcënime.

Në një bisedë telefonike, Zeka tha për KALLXO.com se do ta ndjekë “penalisht e me kanun” Prokurorin i cili po merret me listat e veteranëve përfitues, Afrim Shefkiu, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Presidentin Hashim Thaçi.

“Prokurori Afrim Shefkiu së bashku me Aleksandër Lumezin mua më kanë kërcënuar ma kanë vu jetën në rrezik dhe të familjes sime duke ia dhënë “…”(një media në Kosovë) një audio incizimet fotografitë private, gjërat private që më kanë rrezikuar jetën dhe kam marrë 100 kërcënime nga banditë të rrezikshëm anekënd Kosovës. Juridikisht penalisht, privatisht dhe me kanun deri në vdekje do t’i ndjek, Afrim Shefkiun, Aleksandër Lumezin dhe Hashim Thaçin”, tha Zeka për KALLXO.com.

Prokuroria e Shtetit pak më parë, me anë të një njoftimi ka dënuar gjuhën e përdorur të Milaim Zekës në një nga televizionet në Kosovë duke i cilësuar kërcënime ndaj prokurorit Shefkiu.

Përmes një reagimi për media, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve publike dhe kërcënimeve që po bëhen ndaj prokurorëve e në veçanti ka përmendin deklarimin e deputetit Milaim Zeka.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu.”

Në njoftim thuhet se këto deklarime janë duke u trajtuar seriozisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“ Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron të gjithë se këto kërcënime janë duke u trajtuar seriozisht dhe në nivelin e urgjencës, të cilën e meritojnë”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Por Zeka ka një përgjigje për deklaratën e prokurorisë.

“Po çka m’kërset mu për Prokurori të Shtetit e për këshill të hamamit kur ata ma kanë rreziku jetë. Me pas pasë Prokurori të Shtetit e Këshill Prokuoriral, kishin hapë hetime kah rrjedhën informacionet ka dulen në dorën e “…” (një media kosovare”) audio incizime e mia”.

Ai shtoi se mund të deklarojë çka të dojë vetë ai.

“Mua çka të më teket unë deklaroj, unë kam dhënë deklaratë se prokuroria e shtetit ma ka rreziku jetën time dhe të familjes sime kaq”, tha në fund Zeka për KALLXO.com.

https://kallxo.com/keshilli-prokurorial-po-trajtohen-kercenimet-e-milaim-zekes-ndaj-prokurorit-afrim-shefkiu/