Ilustrim

Liderët urojnë festën e Krishtlindjes

Me rastin e festës së Krishtlindjes, krerët më të lartë të shtetit kanë dërguar mesazhe urimi për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes, dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës.

Ajo ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për këtë festë.

“Kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes, dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë që në këtë ditë ta rrisin shpresën e t`i hapin zemrat. Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja. Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë” – thuhet në mesazhin e Osmanit.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, me ftesë nga Ipeshkiva e Kosovës, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar për Krishtlindje.

Sipas një komunikate për media, në qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Kurti i uroi ipeshkvit Dodë Gjergji dhe besimtarëve katolikë​ Krishtlindje të gëzuar.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar që festën e Krishtlindjes qytetarët ta kalojnë në ngrohtësinë e shoqërisë së njerëzve më të dashur.

“Fryma e Krishtlindjes na bën që të kthehemi kah drita dhe të jemi mirënjohës për begatitë që na janë dhuruar. Mesazhi i saj vendos në zemrat tona një dëshirë për t’u dhënë gëzim edhe njerëzve të tjerë. Uroj që ta kaloni këtë festë në ngrohtësinë e shoqërisë së njerëzve tuaj më të dashur. Qofshi të mbushur me dritë, dashuri dhe plot gëzime, tani dhe gjithmonë. Gëzuar Krishtlindjen”- thuhet në urimin e Konjufcës.