Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Merret vendim për kompensimin e orëve të humbura në Kamenicë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës.

Sipas një njoftimi për media, vendimi është marrë pas disa takimeve me të gjitha palët dhe konsultimeve me ekspertë, bazuar në raportet e Inspektoratit të arsimit, raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit si dhe raportit të Komisionit për shqyrtimin e problemit të krijuar me mos vijimin e mësimit nga një numër i madh i nxënësve në komunën e Kamenicës.

Tutje thuhet se procesi mësimor do të zhvillohet në objektet shkollore më të afërta dhe në pajtim me rekomandimet e MASHTI, MSH-së dhe IKSHPK-së.

“MASHTI inkurajon komunën dhe të gjitha palët që sa më parë, të gjejnë zgjidhjen më të mirë që viti i ri shkollor 2021/2022 të fillojë me kohë dhe pa probleme. Obligohen institucionet përgjegjëse të sigurojnë kushtet optimale për vijimin e mësimit të përshpejtuar dhe furnizimin me materiale mësimore për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor për nxënësit”, thuhet në njoftim.

Riorganizimi në arsim në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të 2019 dhe kjo inicativë ishte kundërshtuar qysh nga fillimi nga ana e prindërve.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Pjesë e projektit kanë qenë 29 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta . Shtatëmbëdhjetë (17) janë shkolla amë dhe dymbëdhjetë (12) janë paralele të ndara. Ndërsa në fazën e parë të riorganizimit janë shuar 4 shkolla.

Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.

Beteja e disa prindërve në Kamenicë dhe Komunës së Kamenicës kishte kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit në janar të këtij viti e kishte aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës për vazhdimin e fazës së tretë të reformës në arsim në këtë Komunë.

Apeli i jep të drejtë Qëndron Kastratit për të vazhduar me reformën e arsimit në Kamenicë