Apeli i jep të drejtë Qëndron Kastratit për të vazhduar me reformën e arsimit në Kamenicë
Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës për vazhdimin e fazës së tretë të reformës në arsim në këtë Komunë.
Ky vendim i Apelit vie pas vendimit të Themelores, i cili për herë të dytë kishte vendosur që t’i jap të drejtë 25 prindërve nga fshatrat e Kamenicës të cilët kishin propozuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 10 shtator 2020.
KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e marrë dje nga Gjykata e Apelit në të cilin kërkesa për pezullimin e reformës është refuzuar.
“Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e të paditurës Komuna e Kamenicës. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 20.11.2020, është ndryshuar. Kërkesa e paditësve- propozuesve, më anë të së cilës kanë kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr. 02/ 19870 i datës 10.09.2020 i Kryetarit të Komunës Kamenicës, është REFUZUAR”, thuhet në dispozitiv.
Beteja e disa prindërve në Kamenicë dhe Komunës së Kamenicës kishte kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën e Apelit.
Deri te ky vendim erdhi pas kërkesës së 25 prindërve nga fshatrat të cilat ishin prekur nga ky vendim.
Të njëjtit i kërkuan Gjykatës së Prishtinës që ta anulojë vendimin e fundit të Komunës së Kamenicës në të cilin parashihej riorganizimi i disa shkollave të fshatrave, Petroc, Topanicë, Karaqevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme, Hogosht.
Ndërsa më 24 nëntor Gjykata e Prishtinës për të dytën herë radhazi ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Kamenicës për fazën e tretë të riorganizimit të shkollave.
Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e 3-të të riorganizimit të shkollave.
Ky vendim përfshinë shkollat në fshatrat: Karaçevë e Epërme, e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë, Poliçkë, Shipashnicë të Epërme, të Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell, Dajkoc.
Mirëpo as ky vendim, sikurse dy vendimet e para nuk u përkrahën nga prindërit e nxënësve.
Të pakënaqur me vendimin e Komunës së Kamenicës, 25 prindër të kësaj komune, të prekur nga ky vendim, çështjen e kanë dërguar në Gjykatë.
Me anë të padisë së ushtruar, 25 prindërit e përfaqësuar nga zyra ligjore ABOliver & Associates, me përfaqësuesit ligjor Alexander Borg Oliver dhe Besim Osmani, po e kontestojnë vendimin e kësaj komune, me ç’rast po kërkojnë anulimin e këtij vendimi, si dhe shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje.
Pavarësisht kundërshtimeve, Qëndron Kastrati vazhdon me riorganizim të shkollave në Kamenicë