Mendimi i gazetarit Vaughan Smith për akuzat ndaj krerëve të UÇK-së

Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë xhiroi sulmin në Prekaz, thotë se mbajtja e krerëve të UÇK-së në Hagë ka dimension politik.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” potencoi se serbët përpiqen t’ua atribuojnë fajin të gjithëve në mënyrë të njëjtë.

“Unë mendoj se kjo ka një dimension politik të krimeve të luftës kur bëhet fjalë për shqiptarët. Rasti për mua është i qartë, jam i bindur për këtë. Dua të them se është e qartë se serbët kanë thënë dhe e thonë gjatë gjithë luftërave ballkanike dhe janë përpjekur t’ua atribuojnë të gjithëve fajin në mënyrë të njëjtë”, theksoi ai.

Smith thotë se kjo që po ndodh nuk e bën të ndihet rehat.

“Mendoj se nëse ktheheni prapa në histori dhe e kuptoni se nga vjen kjo dhe mënyra se si u trajtuan serbët në Luftën e Dytë Botërore, mund të kuptoni shumë nga historia, por do të ishte mirë nëse kjo pjesë e botës të mund të përpiqej të linte mënjanë atë lloj narrative të rreme. Po, kjo çfarë po ndodh më bën të mos ndihem rehat”, shtoi tutje Smith.

Ai tutje potencoi se u zhgënjye me hakmarrjet që ndodhën në periudhën e pasluftës, por që kjo nuk mund të krahasohej me vuajtjet e shqiptarëve.