Trajnimi i ushtarëve të FSK-së për Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Foto: FSK

Mehaj: FSK-së pritet t’i shtohen edhe 600 ushtarë të rinj brenda këtij viti

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se për gati një vit janë pranuar 1240 ushtarë të rinj.

“Në fillim kur vendosem ta shpallnim konkursin më të madh të ushtrisë që kishim ndonjëherë, të gjthë u treguan skeptik: nuk mundeni, nuk keni kapacitete e nuk realizohet.  Rezultatet sot, tregojnë realitetin. Për 11 muaj kemi rekrutuar 1240 ushtarë.  Me punë e përkushtim, nuk ka asgjë të pamundur. Në mbrojtje e në shërbim të Republikës nuk ka asgjë që na ndalë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj shtoi se brenda këtij viti do të hapin konkrusin edhe për 600 ushtarë të rinj.

“Do të rrisim edhe më tutje kapacitetet tona mbrojtëse. Krahas kësaj, blerja e armatimit vazhdon të mbetet prioriteti ynë kryesor. Ushtria jonë është siguria e vendit dhe e qytetarëve tanë, është garancë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm Një falënderim të veçantë, meriton Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes me të gjithë instruktorët e saj, për punën e shkëlqyer, nga duart e të cilëve dalin gjenerata të reja, të arta të kombit tonë”, tha Mehaj më tej.