Presidenti i Cekise Petr Pavel, foto: seznamzpravy.cz

Media çeke: Hap historik, presidenti pritet të emërojë ambasador në Kosovë

Republika Çeke ka ambasadë në Prishtinë, por asnjëherë në pesëmbëdhjetë vitet e pavarësisë së Kosovës zyrën nuk e ka udhëhequr një diplomat çek me titull të plotë. Kjo tani do të ndryshojë.

Një ndryshim historik e pret politikën e jashtme çeke. Praga për herë të parë do të dërgojë një ambasador me të drejta të plota në Kosovë. Deri më tani këtë e ka penguar rezistenca e dy ish-presidentëve, Vaclav Klaus dhe Milos Zeman, raporton seznamzpravy.cz

Republika Çeke e njohu Kosovën në vitin 2008, kur vendi shpalli pavarësinë. Por ka qenë gjithmonë  çështje e ndjeshme – për shkak të mosmarrëveshjes me Serbinë dhe, si rrjedhojë, lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë.

“Presidenti është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap,” tha Eva Hromadkova nga ekipi për komunikim me media i presidentit Petr Pavel kur u pyet nga “Seznam Zpravy” nëse shefi i shtetit do të emëronte një ambasador në Kosovë.

Të mërkurën, Qeveria diskutoi emrin e diplomatit i cili do të bëhet ambasadori i parë në Kosovë.

“Seznam Zpravy” shkruan se e di emrin, se ai është diplomat me karrierë të gjatë i cili gjithashtu ka përvojë në post ambasadori.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka kohë që mban qëndrim për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën në nivelin më të lartë, pasi është e nevojshme të korrigjohet situata absurde kur Çekia e njeh pavarësinë e Kosovës, ka ambasadë në vend, por nuk ka ambasador atje” – tha për “Seznam Zpravy” zëdhënësi Daniel Drake.

Në Kosovë është një situatë paradoksale. I gjithë Bashkimi Evropian përfaqësohet në rolin e ambasadorit nga diplomati çek, Tomas Szunyog. Kurse, vetë Republika Çeke ka vetëm një diplomat të ri, të ngarkuarin me punë, Pavel Bilek, që nga viti 2018.

Njohja e Kosovës ishte kundërshtuar nga presidenti Vaclav Klaus, pasuar nga Milos Zeman. Dhe pa pëlqimin e kreut të shtetit, asnjë ambasador nuk mund të funksionojë.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, presidenti Petr Pavel nuk ka asnjë kundërshtim për emërimin e ambasadorit në Kosovë.

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me këtë zhvillim të ri në Çeki dhe është në pritje të përgjigjeve.