Me topa uji Policia e Kosovës asiston në shuarjen e zjarreve - VIDEO

Vendet të ndryshme në Kosovë edhe gjatë ditës së sotme janë përballur me zjarre të cilat po rrezikojnë pronat por edhe jetët e njerëzve.

Policia e Kosovës ka treguar se po asiston me topa të ujit për të shuar këto zjarre që janë raportuar në disa rajone.

“Ekipet policore në kuadër të fushëveprimit të tyre po ofrojnë asistencë relevante tek autoritete kompetente në funksion të parandalimit dhe reduktimit të rasteve të zjarrit që janë raportuar nëpër disa rajone të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e policisë deri sa kanë bashkëngjitur edhe një video deri sa shihet vetura e policisë deri sa shpërndan topat e ujit për të shuar zjarret.

Në anën tjetër policia ka treguar se do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj personave të cilët identifikohen për zjarrvënie.

“Bazuar në ligj po ndërmerren masa aktive për hetimin e rasteve penale që ndërlidhen me zjarrvënien dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, andaj kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta dhe erëra, si dhe për parandalimin dhe reduktimin e rasteve të tilla me kohë të lajmërojnë policinë apo autoritetet tjera emergjente”, thuhet në njoftimin e Policisë.