Me procedurë të përshpejtuar, miratohet 'Strategjia e energjisë 2022-2031' në Komisionin për Ekonomi

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar “Strategjinë e energjisë 2022-2031”.

Kjo pikë e rendit të ditës, me procedurë të përshpejtuar u iniciua nga anëtarja e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Prezantimin e strategjisë përballë Komisionit e ka prezantuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Dokumenti ka pasur proces të gjatë të hartimit dhe konsultimit të gjitha palëve të interesit duke përfshirë edhe konsultimet publike si dhe  qytetarët. Në bazë të këtyre si me ekspertë besoj që dokumenti paraqet një balancim të kërkesave të qytetarëve dhe nevojave të sektorit. Ka pajtueshmëri mes akterëve”- tha ministrja.

Rizvanolli tha se vizioni i strategjisë është që të zhvillojnë një sektor të qëndrueshëm.

“Vizioni është që të zhvillojmë një sektor të qëndrueshëm, nisur nga ky vizion strategjia parasheh disa objektiva. Besueshmëria e funksionimit të sistemit që kërkon kapacitete të përshtatshme. Rritja e fleksibilitetit te sistemit që do të arrihet përmes integrimit rajonal, modernizimini rrjetit”- deklaroi Rizvanolli.

Objektivat e strategjisë sipas ministres Rizvanolli janë edhe siguria kibernetike e sektorit të energjisë, promovimi i energjisë së ripërtrishme dhe fuqizimi i konsumatorëve.

“Siguria kibernetike e sektorit të energjisë është aspekt i rëndësishëm sepse sektori do të jetë gjithnjë e më shumë i digjitalizuar. Promovimi i energjisë së ripërtrishme është objektiv. Objektivi tjetër është fuqizimi i konsumatorëve që është në qendër të kësaj strategjie”- theksoi ajo.

Kundër kësaj strategjie ishte kryetari i Komisionit, Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai tha se nuk po e kupton përshpejtimin e strategjisë dhe se sipas tij, pritjet për strategjinë kanë qenë më të mëdha nga ajo se çka ju është prezantuar.

“Nuk po e kuptoj këtë përshpejtim, dje ju shprënda komisionit kjo strategji ndërsa sot u propozua në Komision. Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha nga cka po shoh duke marrë parasyshë gjendjen në të cilën është sektori”- tha Shala.

Kryetari i komisionit gjithashtu ka shprehur se po ka paqartësi në pjesën e gazit natyror dhe se sipas tij nuk është vlerësuar ndikimi në mjedis i strategjisë.

“Nuk ka qartësi për gazin natyror dhe ka paqartësi të politikave të Qeverisë për këtë. Shumë shtete të zhvilluara po e fusin në shfrytëzim deri të zgjidhet kriza globale. Nuk është vlerësuar ndikimi më mjedis, kjo është shkelje ligjore. Kam mendu që vonesa e kësaj strategjie është për shkak të vlerësimit të ndikimit ne mjedis. Kemi ligje që e rregullojnë këtë fushë”- u shpreh Shala.

Më tej ai theksoi se nuk do ta mbështesë votimin e kësaj strategjie edhe pse sipas Shalës, i njëjti do të miratohet dhe do të procedohet për në seancën e Kuvendit.

“Ne nuk mund ta mbështesim kështu, kemi prit debat konsultiv. Çfarë kuptimi ka që të na ftoni në debat kur me procedurë të shpejtë, dashta nuk dashta ka me u miratu dhe shkon në Kuvend. Është sjellje jo serioze institucionale dhe kolegiale prandaj qëndrimi jonë do të jetë kundër”- ka thënë Shala.

Në kundërpërgjigje të Shalës, ministrja Rizvanolli tha se në strategji nuk parashohin ndërtimin e infrastrukturës për gazin.

“Sa i përket gazit natyror në fakt masterplani për gazin do të del në diskutim publik. Nuk ka shtet që po ndërton infrastrukturë për gazin. Nuk parashohim në këtë strategji ndërtimin e infrastrukturës për gazin”- tha Rizvanolli.

“Sa i përket ndikimit në mjedis i pash disa rezultate të një studimi se energjia nga dielli dhe era kanë më së paku kanë ndikim në mjedis. Do të bëhen studime për vlerësim në mjedis siç është bërë”- shtoi ajo.