Më 4 nëntor do të mbahet konferenca e radhës për rastin Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në njoftim thuhet se konferenca do të mbahet më 4 nëntor me fillim nga ora 13:30.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre po rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Më 30 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Kjo aktakuzë është bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 22 korrik dhe 29 shtator 2022.

Paraprakisht më 29 shtator gjykatësi ka miratuar kërkesën e prokurorit për tërheqjen e pretendimeve për krime në territorin e komunës së Ferizajt.

Aktakuza përbëhet nga dhjetë pika me të cilat të akuzuarit po ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e dinin apo kishin dijeni për krimet se ishin gati të kryheshin apo janë kryer nga vartësit e tyre.

Prokuroria më tej pretendon se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar krimet e tilla apo për të ndëshkuar autorët e krimeve.

Sipas aktakuzës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: Pika 1: persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit. Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit. Pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte” – thuhet në aktakuzë.

Ndërkaq, në pikën 4, ata ngarkohen me veprën – akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit. Kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte.

Në pikën e 6 ata ngarkohen me torturë, krim kundër njerëzimit. Pika 7: torturë, krim lufte. Pika 8: vrasje, krim kundër njerëzimit, Pika 9:  vrasje, krim lufte. Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit.

Në këtë aktakuzë përmenden edhe emra të tjerë si Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Sabit Geci, Lahi Brahimaj, Rrustem Mustafa, Latif Gashi e Shukri Buja.

Aktakuza thotë se si komandant të zonave bashkë me anëtarë të tjerë të UÇK-së, kanë ndaluar persona për periudha të ndryshme kohore në mënyrë të kundërligjshme.

Të arrestuarit sipas Prokurorisë janë lidhur me zinxhirë dhe mbaheshin në dhoma të mbyllura me roje të armatosur.

Më tej aktakuza përshkruan se të arrestuarit u janë nënshtruar rrahjeve të rënda dhe abuzime psikologjike

Versionin e aktakuzës së ndryshuar, Gjykata Speciale e ka publikuar më 30 shtator në web-faqen e saj.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK.