Mblidhet grupi i ekspertëve për Fondin Sovran, Kurti thotë se hartimi i këtij ligji kërkon kohë

Grupi i ekspertëve janë mbledhur sot për të hartuar ligjin dhe statutin e Fondit Sovran të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë pjesë e kësaj punëtorie dhe ka thënë se hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë punëtorisë së sotme u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.

Kurti ka falënderuar grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar Kryeministria.

Dy dokumentet do të themelojnë dhe funksionalizojnë Fondin Sovran, si organizatë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qeveria në mbledhjes e 81-të të saj kishte miratuar Koncept Dokumentin e Fondit Sovran i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit”-  thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.