Foto: Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA

Mbi 6 mijë njerëz nënshkruajnë për heqjen e TVSH-së për produktet menstruale

Tri ditë më parë është nisur një peticion për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) prej 18% për pecetat menstruale dhe tamponët, nën moton “Peceta nuk është luks, është nevojë!”.

Organizata joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA që ka nisur atë, konsideron se qasja në peceta menstruale është esenciale dhe duhet të trajtohet si e tillë prej shtetit.

“Taksa për produkte menstruale është pengesë për gëzimin e të drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë, rrjedhimisht ua shkelë të drejtat e njeriut dhe është kundërkushtetuese” – ka shkruar QIKA, e cila thotë shteti i konsideron këto produkte si jo-esenciale.

Deri më sot, ky peticion është nënshkruar nga më shumë se 6 mijë vetë.

Në përshkrimin e peticionit thuhet se shumë gra nuk mund ta përballojnë blerjen e këtyre produkteve për shkak të kushteve ekonomike. Aty thuhet se në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, ato detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin gjatë ciklit menstrual.

Skocia është vendi i parë në botë që ka miratuar ligjin për ofrimin e produkteve për ciklin menstrual falas për këdo që ka nevojë.

Ky është linku për nënshkrimin e peticionit: https://www.change.org