PDK kërkon heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) ka propozuar që të largohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga faturat e energjisë elektrike, sipas tyre për të parandaluar shtrenjtimin e rrymës për qytetarët.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala, ka thënë se qytetarët shumë shpejt do të përballen edhe me një rritje tjetër të çmimit të energjisë.

Ai ka thënë se në rast se Qeveria merr masat e duhura do ta pengonte rritjen e tarifave.

Shala ka dhënë edhe disa rekomandime që sipas PDK-së duhet t’i marrë Qeveria, njëra ndër to edhe largimi i TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike.

“PDK rekomandon që të largojë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike, çmimi për tarifën e linjitet të zvogëlohet nga 3 euro për ton sa është sot në 0, 26 cent për ton, të vendos obligime për gjeneratorët e KEK dhe hidrocentralin “Ujmani”, të vendos një çmim fiks, çdo kosto shtesë për gjeneratorët të mbulohet nga Qeveria, të krijoj një fond për subvencion të konsumatorëve, të krijojë mekanizma nxitës për kursim të energjisë, të krijoj një plan komunikimi me qytetarët e vendit”, ka thënë Shala.